Një qytet japonez, sipas një projekt-rregulloreje që nuk përfshin ndëshkime, do t’u bëjë thirrje të gjithë përdoruesve të telefonave inteligjentë të kufizojnë kohën para ekranit në dy orë në ditë jashtë orarit të punës apo shkollës.
Sipas draftit të paraqitur ky kufizim, që do të rekomandohet për të gjithë banorët e qytetit Toyoake në Japoninë qendrore, nuk do të jetë detyrues dhe nuk do të ketë sanksione për ata që e tejkalojnë.
Kura për problemet mendore
Propozimi synon “të parandalojë përdorimin e tepërt të pajisjeve që shkaktojnë probleme fizike dhe mendore... përfshirë vështirësitë me gjumin,” tha kryetari i bashkisë, Masafumi Koki, në një deklaratë të premten.
Drafti u bën thirrje nxënësve të shkollave fillore të shmangin përdorimin e telefonit pas orës 21:00, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme dhe më të rriturve u rekomandohet të mos i përdorin pas orës 22:00.
Ky propozim shkaktoi reagime të shumta në internet, ku shumë e quajtën planin jorealist.
"E kuptoj qëllimin e tyre, por kufiri prej dy orësh është i pamundur," shkroi një përdorues në rrjetin social X.
"Brenda dy orësh nuk arrij as të lexoj një libër apo të shoh një film (në telefon)," shkroi një tjetër.
Të tjerë thanë se përdorimi i telefonit duhet të jetë një vendim që e marrin vetë familjet.
“Jo e detyrueshme”
Reagimet e ashpra bënë që kryetari i bashkisë të sqarojë se kufizimi prej dy orësh nuk është i detyrueshëm, duke theksuar se udhëzimet “e njohin faktin që telefonat inteligjentë janë të dobishëm dhe të domosdoshëm në jetën e përditshme”.
Rregullorja do të shqyrtohet javën e ardhshme dhe, nëse miratohet, do të hyjë në fuqi në tetor.
Në vitin 2020, rajoni perëndimor i Kagawas miratoi një rregullore të parë të këtij lloji, që u bënte thirrje prindërve të kufizonin lojërat për fëmijët në një orë në ditë gjatë javës dhe 90 minuta gjatë pushimeve shkollore.
Rregullorja gjithashtu sugjeronte që fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç të mos lejohen të përdorin telefonin pas orës 21:00, ndërsa për ata nga 15 deri në 18 vjeç kufiri të jetë ora 22:00.
Sipas një sondazhi të publikuar në mars nga Agjencia për Fëmijë dhe Familje, të rinjtë japonezë kalojnë mesatarisht pak më shumë se pesë orë në ditë online gjatë ditëve të javës.