Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së ShBA-së, gjenerallejtënant Jeffrey Kruse, është shkarkuar nga posti i tij.
Sipas raportit të CBS-së, një zyrtar i lartë i mbrojtjes konfirmoi shkarkimin e shefit të inteligjencës së mbrojtjes.
“Gjenerallejtënant Kruse nuk do të shërbejë më si drejtor i DIA-s”, tha zyrtari.
Christine Bordine, zv/drejtoreshë e agjencisë, është emëruar shefe e përkohshme.
DIA është një nga shërbimet kryesore të inteligjencës ushtarake të ShBA-së, duke ofruar analiza për Pentagonin dhe Shtëpinë e Bardhë.
Agjencia ishte përgjegjëse për vlerësimin paraprak të sulmeve ajrore të ShBA-së që shënjestruan objektet bërthamore të Iranit, një fushatë që shënoi një përshkallëzim të madh të tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit në muajin qershor.
Sipas CBS-së, vlerësimi i agjencisë arriti në përfundimin se sulmet penguan programin bërthamor të Iranit vetëm me disa muaj dhe vuri në dukje se disa rezerva të uraniumit të pasuruar ishin zhvendosur para sulmit.
Ky vlerësim binte ndesh me fjalimin televiziv të presidentit Donald Trump, ku ai deklaroi se aftësitë bërthamore të Iranit janë “zhdukur plotësisht” dhe janë vonuar me “dekada”.
CBS raportoi se kontradikta e dukshme shkaktoi zemërimin e administratës dhe mund të ketë luajtur një rol në shkarkimin e gjenerallejtënant Kruse.
Udhëheqësit e komitetit të inteligjencës në Kongres u informuan për shkarkimin, por nuk u dha një arsye.