Një operacion i madh shpëtimi është duke u zhvilluar për të lokalizuar rreth 100 persona të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu dhe përmbytjeve të shpejta të shkaktuara nga një shpërthim resh në një fshat në Indinë veriore.
Ngjarja ndodhi të martën në fshatin Dharali, në shtetin Uttarakhand. Autoritetet deri tani kanë arritur të shpëtojnë disa persona.
“Operacionet e shpëtimit po zhvillohen me intensitet të lartë”, deklaroi të mërkurën Kryeministri i shtetit Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami.
“Po punojmë me vigjilencë dhe shpejtësi për të siguruar ndihmën e nevojshme dhe të menjëhershme për të prekurit”, shtoi ai.
Ushtria Indiane, e cila bëri të ditur se të paktën nëntë ushtarë janë të zhdukur nga ngjarja, tha se kolona shtesë ushtarake së bashku me qen gjurmues, dronë, dronë logjistikë dhe pajisje për lëvizjen e tokës janë dërguar në terren për të përforcuar mjetet ekzistuese dhe për të përshpejtuar përpjekjet.
“Helikopterë të ushtrisë dhe forcave ajrore po koordinohen për furnizime thelbësore, ilaçe dhe evakuimin e banorëve të izoluar. Ndërkohë, banorët janë zhvendosur në zona më të larta për shkak të rritjes së niveleve të ujit nga shirat e pandërprera”, shkroi Komanda Qendrore e Ushtrisë në platformën X.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen, Sanjay Seth, i cili e cilësoi situatën si serioze, tha se katër persona kanë humbur jetën.
“Rreth 100 persona rezultojnë të zhdukur”, i tha ai agjencisë Press Trust of India.
Pamjet televizive tregojnë shkatërrimin në zonë, ku ndërtesa dhe rrugë janë përpirë nga rrjedha.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, deklaroi të martën se “nuk po lihet gur pa lëvizur për t’u ofruar ndihmë njerëzve.”