Tarifat e reja globale të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, që variojnë nga 15 deri në 50 për qind për mallrat e importuara në ShBA, hynë në fuqi të enjten.
Trump nënshkroi javën e kaluar urdhra ekzekutivë për vendosjen e tarifave të ashtuquajtura “reciproke” ndaj më shumë se 67 vendeve, pavarësisht shqetësimeve se ky veprim mund të rrisë inflacionin dhe të ngadalësojë rritjen e punësimit.
Sipas masave të reja, janë prekur edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, vendet me tarifat më të larta janë India, Brazili, Laosi dhe Zvicra. India, e cila fillimisht u përball me një tarifë prej 25 për qind, u godit me një tjetër shtesë prej 25 për qind, pasi vazhdoi blerjet e naftës nga Rusia, një veprim që ka hapur një kapitull të ri në tensionet tregtare të Trumpit.
India e ka dënuar vendimin duke e cilësuar “të padrejtë, të pabazuar dhe të paarsyeshëm”.
Në të njëjtën kohë, një zyrtar i ShBA-së bëri të ditur se Japonia nuk do të përfitojë nga ndonjë trajtim i veçantë, ndonëse pritej ndryshe pas një marrëveshjeje tregtare të fundit mes dy vendeve. Përkundrazi, ShBA-ja do të vendosë një tarifë shtesë prej 15 për qind për produktet japoneze, përveç atyre ekzistuese, një qasje që ndryshon nga ajo ndaj Bashkimit Evropian.
Ky zhvillim bie në kundërshtim të qartë me deklaratat e qeverisë japoneze lidhur me kushtet e marrëveshjes së dakorduar në momentet e fundit me ShBA-në.