Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio do të udhëtojë në Izrael dhe në Mbretërinë e Bashkuar më 13-18 shtator, njoftoi të premten Departamenti i Shtetit, në një vizitë që vjen mes rritjes së tensioneve pas sulmit izraelit ndaj Katarit.
“Gjatë qëndrimit në Izrael, Sekretari do t'i përcjellë prioritetet e Amerikës në konfliktin Izrael-Hamas dhe çështje më të gjera që lidhen me sigurinë në Lindjen e Mesme, duke rikonfirmuar angazhimin e ShBA-së ndaj sigurisë izraelite”, tha në një deklaratë zëdhënësi kryesor i përkohshëm Tommy Pigott.
Rubio do t'i “theksojë qëllimet tona të përbashkëta: të sigurohet që Hamasi të mos e qeverisë më kurrë Gazën dhe të kthehen në shtëpi të gjitha pengjet”, shtoi deklarata.
Sekretari amerikan i shtetit do të takohet gjithashtu me familjet e pengjeve.
Në Londër, Rubio është planifikuar të takohet me sekretaren e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, për ta diskutuar bashkëpunimin mbi sfidat globale, duke përfshirë përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, parandalimin e Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, sigurimin e një armëpushimi në Gaza dhe konkurrimin me Kinën, tha deklarata.
Udhëtimi pason komentet e Trumpit se ai ndihet “shumë keq” për sulmin ajror izraelit ndaj liderëve politikë të Hamasit në Doha në fillim të kësaj jave. Duke folur me gazetarët, Trump tha se shpreson që sulmi “të mos ndikojë” tek armëpushimi në Gaza dhe negociatat për pengjet të ndërmjetësuara nga Katari, i cili, së bashku me ShBA-në dhe Egjiptin, ka qenë qendror në përpjekjet e ndërmjetësimit.