Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar të premten dënuan sulmet ajrore izraelite në Doha në fillim të kësaj jave, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit të Katarit dhe kërcënim për stabilitetin rajonal.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të tre vendeve thanë se sulmet e 9 shtatorit rrezikojnë të minojnë përpjekjet aktuale të ndërmjetësimit, të cilat synojnë sigurimin e lirimit të pengjeve izraelite dhe arritjen e një armëpushimi në Gaza.
“Ne, ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, dënojmë sulmet e Izraelit në Doha më 9 shtator, të cilat shkelin sovranitetin e Katarit dhe rrezikojnë një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon”, thuhet në deklaratë.
Ministrat theksuan se veprime të tilla paraqesin një “rrezik serioz” për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar që mund të përfundojë konfliktin në Gaza, duke bërë thirrje që të gjitha palët të “rinovojnë dhe forcojnë përpjekjet e tyre” drejt një armëpushimi të menjëhershëm.
Ata shprehën solidaritet me Katarin dhe theksuan “roli jetik” të këtij vendi të Gjirit në përpjekjet e ndërmjetësimit, së bashku me Egjiptin dhe ShBA-në.
“Bëjmë thirrje që palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shfrytëzojnë mundësinë për paqe”, shtohet në deklaratë.
Tre vendet gjithashtu kërkuan ndalimin e operacioneve izraelite në qytetin e Gazës, duke thënë se fushata ushtarake po shkakton zhvendosje masive të civilëve, viktima dhe shkatërrim të infrastrukturës thelbësore.
Ata bënë thirrje që OKB-ja dhe organizatat humanitare të lejohen të punojnë “në mënyrë të sigurt dhe në shkallë të gjerë” në të gjithë enklavën.
Ndërsa riafirmonin dënimin e Hamasit, ministrat kërkuan që grupi të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjitha pengjet, të dearmatohet dhe të përjashtohet përfundimisht nga qeverisja e Rripit të Gazës.
Ata theksuan se fokusi duhet të mbetet tek arritja e një armëpushimi të përhershëm, sigurimi i lirimit të pengjeve dhe ofrimi i ndihmës në shkallë të gjerë për Gazën për ta parandaluar mungesën e ushqimit.