Të paktën gjashtë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të dielën në sulme të ndara izraelite dhe incidente me të shtëna me armë zjarri në të gjithë Rripin e Gazës, thanë burime mjekësore.
Katër civilë u vranë në qendër të Khan Younisit kur një dron izraelit goditi një grumbull njerëzish, thanë burimet për Anadolu.
Në një incident të veçantë pranë korridorit Netzarim, forcat izraelite hapën zjarr ndaj një grupi personash që po prisnin ndihma humanitare, duke vrarë dy dhe plagosur të tjerë.
Më në jug, në një pjesë tjetër të Khan Younis-it, më shumë civilë u vranë dhe u plagosën pasi të shtënat izraelite goditën një grup njerëzish që po prisnin ndihma.
Zyrtarët lokalë të shëndetësisë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se sulmet ndaj pikave të shpërndarjes së ndihmave po e përkeqësojnë krizën humanitare në Gaza, ku uria kërcënon mes bllokadës izraelite.
Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat e kalimit në Gaza që nga 2 marsi, duke bllokuar karvanët me ndihma pavarësisht qindra kamionëve që presin në kufi. Vetëm sasi të vogla janë lejuar të hyjnë, shumë më pak se niveli i nevojshëm për të shmangur urinë.
Programi Botëror i Ushqimit thotë se një e treta e popullsisë së Gazës ka kaluar disa ditë pa ngrënë, duke e cilësuar situatën si “të paprecedent” për nga nivelet e urisë dhe dëshpërimit. OKB-ja vlerëson se qindra kamionë me ndihma duhet të hyjnë çdo ditë për t’i dhënë fund urisë së shkaktuar nga bllokada dhe lufta.
Izraeli po përballet me zemërim në rritje për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza, ku më shumë se 61.300 persona janë vrarë që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.