Zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri ka zhvilluar një takim dhe trajnim me mësuesit në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Në hapjen e aktivitetit të organizuar në ambientet e kampusit të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, drejtues të institucioneve arsimore të fondacionit në Shqipëri, mësues dhe të ftuar të tjerë.
Drejtori i Zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, në fjalën e tij falënderoi mësuesit e pranishëm, që sipas tij, me përkushtimin dhe eksperiencën e tyre kanë kontribuar për shkollat e Fondacionit Maarif.
"Ne jemi këtu në të njëjtën ombrellë, në të njëjtën familje, për të përgatitur fëmijët tanë për një të ardhme më të mirë. Jemi këtu për të dhënë të gjithë kontributin tonë për edukimin e fëmijëve. Jemi për të dhënë më të mirën në cilësi dhe bashkërisht për t'i dhënë atë cilësinë, emrin dhe markën që i duhet institucionit tonë. Jemi një ekip në pjesë të ndryshme, por me të njëjtin qëllim, për të dhënë më të mirën për fëmijët tanë", tha Özbaysar.
Ndër të tjera Özbaysar u shpreh se të jesh pjesë e një ekipi është diçka që tregon fuqinë.
Rektori i UNYT-së, Ali Güneş, gjatë fjalës së tij theksoi se Fondacioni Turk Maarif ka si mision që të rrisë breza të sinqertë dhe të moralshëm, që sipas tij, në jetën e tyre të dinë të zgjidhin çdo lloj problemi.
"Ardhja juaj (e mësuesve) nga shkollat e Tiranës, Elbasanit dhe Shkodrës ka dhe qëllimet e veta në këtë trajnim. Ndër gjërat më të rëndësishmet të këtij trajnimi është njohja e njëri-tjetrit. Çdo gjë për zhvillimin e edukimit nuk është e gjitha në çfarë lexohet, por dhe çfarë duhet të veprohet. Bërja e një trajnimi të përbashkët nxjerr ato frytet e veta, ku ndër to është të përcillni mes njëri-tjetrit eksperiencën e mirë dhe të duhur", tha Güneş, duke iu drejtuar mësuesve.
Trajnimi njëditor për mësuesit e institucioneve të Fondacionit Maarif në Shqipëri organizohet me qëllimin për të mbështetur zhvillimin profesional të stafit mësimor, praktikat më të mira mësimore dhe diskutimet mbi sfidat në procesin e mësimdhënies.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit të New Yorkut në Tiranë, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.
Viti i ri shkollor në Shqipëri do të fillojë më 8 shtator, përfshirë edhe në institucionet arsimore të Fondacioni Turk Maarif.