Në 20-vjetorin e themelimit të Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjës e Hercegovinës (INOBiH) u bë edhe njëherë apel që të gjithë ata që kanë njohuri për varreza masive t’i bëjnë publike ose anonimisht, pasi në BeH ende kërkohen 7.580 persona të zhdukur gjatë luftës së viteve ’90.
“Njëzet vjet është periudhë e gjatë. Qëllimi është që këtë proces në BeH ta mbyllim në dy-tri vitet e ardhshme”, porositi ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Refugjatët i BeH, Sevlid Hurtić.
Instituti është unik në botë sepse është formuar në atë mënyrë që të gjitha palët e përfshira në konflikt punojnë së bashku për gjetjen e personave të zhdukur gjatë ngjarjeve të luftës.
Është institucioni i parë shtetëror i themeluar me qëllim ekskluziv kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur si pasojë e konflikteve të armatosura. Ndryshe nga shtetet e tjera që çështjen e të zhdukurve e trajtuan përmes komisioneve ad hoc ose organizatave ndërkombëtare, Bosnja e Hercegovina ngriti një strukturë të përhershme institucionale që vepron në të gjithë territorin e saj.
Në ngjarjen e sotme në Sarajevë, ku u fol për rëndësinë e Institutit dhe arritjet në dy dekadat e kaluara, u theksua se puna e tij nuk është vetëm një obligim institucional, por edhe përgjegjësi morale dhe shoqërore.
Edhe njëherë u apelua që kushdo që ka informacione për varreza masive t’i dorëzojë ato, qoftë publikisht, qoftë në mënyrë anonime.
Kryesuesi i Kolegjit të Drejtorëve të Institutit për Personat e Zhdukur të BeH, Nikola Perišić, theksoi se në 20 vjet punë është ngritur një institucion unik që merret me procesin e kërkimit të të zhdukurve në gjithë territorin e BeH.
“Organizata u krijua më 2004 me Ligjin për Personat e Zhdukur dhe marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2005 ndërmjet Këshillit të Ministrave të BeH dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, tha ai, duke shtuar se pavarësisht lavdërimeve apo kritikave, Instituti e përmbush misionin e vet duke i dorëzuar mbetjet mortore familjeve pa diskriminim mbi baza etnike, kombëtare, racore, gjinore, shoqërore apo të ndonjë ndarjeje tjetër.
“Fatkeqësisht, ende kërkojmë 7.580 të zhdukur, që janë rastet më të vështira, kryesisht të lidhura me krime lufte, ku autorët janë përpjekur shumë për të fshehur gjurmët. Koha që kalon dhe vdekja e dëshmitarëve dhe e familjarëve nuk janë aleatë në këtë proces”, tha ai.
Ai nënvizoi se mesazhi i sotëm është mobilizimi dhe ngritja e vetëdijes së opinionit publik në BeH për rëndësinë e këtij procesi, si dhe kërkimi i më shumë mbështetje nga autoritetet që procesi i kërkimit të të zhdukurve të përmbyllet.
Instituti është bërë lider global në aplikimin e shkencës forenzike, sidomos identifikimit me ADN. Falë bashkëpunimit me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), BeH ka arritur sukses të madh në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve.
Tre dekada pas përfundimit të luftës, Bosnja dhe Hercegovina ende kërkon mbetjet mortore të më shumë se 7.580 personave të zhdukur.
Gjatë luftës 1992-1995 në BeH u zhdukën mbi 32.000 persona. Janë gjetur dhe identifikuar rreth 80 për qind e tyre, megjithëse verifikimi i të zhdukurve ende vazhdon. Por vitet e fundit procesi është bërë gjithnjë e më i vështirë, pasi mungojnë informacionet relevante për varreza të mundshme individuale ose masive, të cilat ka me dhjetëra në territorin e BeH.
Numri më i madh i të zhdukurve kërkohet në komunat Zvornik, Srebrenicë, Prijedor, Foçë dhe Visheegrad. Në këto komuna ende kërkohen rreth 2.733 persona, mes tyre 173 fëmijë dhe 574 gra.
Në morgje ndodhen rreth 1.300 mbetje mortore të paidentifikuara (NN), të plota ose të paplota.
Problemi më i madh në procesin e kërkimit mbetet mungesa e informacionit të saktë mbi lokacionet e varrezave ku fshihen mbetjet e viktimave.