LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Të paktën 28 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet izraelite para agimit në Gaza
Sulmet kishin në shënjestër shtëpi, çadra që strehonin civilë të zhvendosur dhe një qendër përkujdesi mjekësor, sipas mjekëve
Të paktën 28 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet izraelite para agimit në Gaza
Të paktën 28 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet izraelite para agimit në Gaza / AA
10 Korrik 2025

Të paktën 28 civilë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite para agimit të enjten në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore.

Ushtria izraelite goditi një grup civilësh që prisnin pranë një qendre përkujdesi mjekësor për të marrë ndihma ushqimore në Deir al-Balah, duke vrarë 13 persona, shumica gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur rëndë të tjerë, tha një burim mjekësor për Anadolu.

Në një rast tjetër, katër anëtarë të së njëjtës familje u vranë nga një sulm izraelit që kishte në shënjestër shtëpinë e tyre në kampin e refugjatëve Bureij në pjesën qendrore të Gazës.

Dy palestinezë u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën nga sulme me dronë izraelitë në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Në jug të Rripit të Gazës, ushtria izraelite vrau pesë persona, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi 20 të tjerë në sulme ndaj çadrave që strehonin palestinezë të zhvendosur në zonën Al-Mawasi të Khan Younis.

Një nënë dhe tre fëmijët e saj gjithashtu u vranë kur ushtria izraelite goditi shtëpinë e tyre në Khan Younis. Më shumë se 20 persona u plagosën në të njëjtin sulm.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë gati 57,700 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën, duke shkaktuar mungesa ushqimore dhe përhapje të sëmundjeve.

Në nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us