LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Shtatë palestinezë të tjerë kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit në Gaza
Nga 339 viktimat e urisë në Gaza, 124 janë fëmijë.
Shtatë palestinezë të tjerë kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit në Gaza
Shtatë palestinezë të tjerë kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit në Gaza / AA
16 orë më parë

Shtatë palestinezë të tjerë kanë vdekur nga kequshqyerja e shkaktuar nga bllokada izraelite e Rripit të Gazës në 24 orët e fundit, njoftoi të dielën Ministria e Shëndetësisë.

Në një komunikatë, ministria bëri të ditur se rastet e reja të vdekjes kanë rritur numrin e atyre që kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023 në 339, përfshirë 124 fëmijë.

Uria është konfirmuar në veri të Gazës, dhe parashikohet që deri në fund të shtatorit të përhapet edhe në Deir al-Balah dhe Khan Younis në zonat qendrore dhe jugore të Gazës, sipas Sistemimit të Integruar të Fazeve të Sigurisë Ushqimore (IPC).

Pas 22 muajsh konflikti të pamëshirshëm, IPC ka bërë të ditur se mbi gjysmë milioni njerëz në Gaza përballen me uri, varfëri dhe vdekje. Një milion e 70 mijë persona të tjerë – mbi gjysmën e popullsisë – përballen me nivele emergjente të pasigurisë ushqimore akute.

Izraeli që nga 2 marsi ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare, pavarësisht mijëra kamionëve me ndihma që presin në kufi.

Në javët e fundit, Tel Avivi ka lejuar vetëm sasi të kufizuara ndihmash, të cilat, sipas zyrtarëve, nuk mbulojnë as nevojat minimale të 2,4 milionë banorëve të këtij territori.

Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë gati 63.400 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavë.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us