Presidenti i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, lansoi të enjten Fondin e Zhvillimit Sirian, duke deklaruar se institucioni do të shërbejë si një mjet kyç për rindërtimin e vendit.
Njoftimi u bë gjatë ceremonisë së inaugurimit të fondit në Kalasë e Damaskut, në kryeqytetin sirian, sipas Agjencisë Siriane të Lajmeve Arabe (SANA).
“Sot mblidhemi për ta shpallur lansimin e Fondit të Zhvillimit Sirian, përmes të cilit bëjmë thirrje të gjithëve të kontribuojnë për rindërtimin e asaj që regjimi i rrëzuar shkatërroi dhe për të ringjallur tokën e djegur në gjelbërim të bollshëm,” tha Sharaa në fjalimin e tij.
“Regjimi i rrëzuar shkatërroi ekonominë tonë, plaçkiti pasurinë tonë, shkatërroi shtëpitë tona dhe shpërndau popullin tonë në kampe dhe vende strehimi. Sot mblidhemi këtu për t'i shëruar plagët e Sirisë së dashur, për ta rindërtuar me duart e bijve të saj dhe për të rikthyer të zhvendosurit dhe refugjatët në tokën e tyre.”
Sharaa theksoi se fondi do të operojë me nivelin më të lartë të transparencës.
“Çdo dollar i shpenzuar do të publikohet hapur brenda projekteve strategjike.”
Pak minuta pas lansimit të fondit, donacionet kanë tejkaluar 30 milionë dollarë, sipas një korrespondenti të SANA-s.
Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u largua në Rusi në dhjetor 2024, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Ba’ath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re tranzitore, e udhëhequr nga Sharaa, u formua në janar.