LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Libani nis fazën e 4-t të planit për çarmatosjen e kampeve palestineze
Ushtria libaneze po mbledh armët nga kampet Beddawi dhe Ain al-Hilweh mes sigurisë së shtuar.
Libani nis fazën e 4-t të planit për çarmatosjen e kampeve palestineze
Libani nis fazën e 4-t të planit për çarmatosjen e kampeve palestineze / AP
14 orë më parë

Libani të shtunën nisi fazën e katërt të planit për t'i mbledhur armët nga kampet e refugjatëve palestinezë, sipas raporteve të mediave lokale.

Ushtria filloi të pranonte armët nga kampi Beddawi në veri të Libanit dhe kampi Ain al-Hilweh pranë qytetit jugor të Sidonit, raportoi gazeta An-Nahar. Siguria u forcua rreth kampeve gjatë procesit.

Nisma pason fazat e mëparshme gjatë të cilave ushtria mblodhi armë nga disa kampe: Burj al-Barajneh në periferi jugore të Bejrutit më 21 gusht; Rashidieh, Al-Buss dhe Burj al-Shamali pranë qytetit Tyr më 28 gusht; si dhe Burj al-Barajneh, Mar Elias dhe Shatila më 29 gusht.

Muajin e kaluar, kabineti i Libanit vendosi t'i kufizojë të gjitha armët, përfshirë ato të mbajtura nga Hezbollahu, vetëm në duart e shtetit. Ushtrisë iu ngarkua hartimi i një plani për ta realizuar këtë deri në fund të gushtit dhe për ta zbatuar përpara mbylljes së vitit 2025.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi nuk do t'i dorëzonte armët e veta përveçse nëse Izraeli tërhiqej nga territoret e pushtuara libaneze, ndalte agresionin, lironte të burgosurit dhe niste rindërtimi.

Një armëpushim u arrit në nëntor 2024, pas muajsh lufte ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut, dhe një lufte të shkallës së plotë në shtator 2024.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga jugu i Libanit deri në janar, por ai tërhoqi vetëm pjesërisht trupat dhe vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë pika kufitare.

Libani strehon më shumë se 493.000 refugjatë palestinezë, shumica e të cilëve jetojnë në kushte të vështira në kampe të administruara nga fraksionet palestineze nën marrëveshje jozyrtare që burojnë nga Marrëveshja e Kajros e vitit 1969.

Më shumë se gjysma jetojnë në 12 kampe të njohura zyrtarisht nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA). Ushtria dhe forcat e sigurisë libaneze nuk hyjnë në këto kampe, por vendosin masa të rrepta rreth tyre.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us