Ushtria izraelite bëri thirrje të shtunën që qindra mijëra palestinezë të largohen menjëherë nga Qyteti i Gazës, duke i nxitur të lëvizin drejt jugut, drejt Al-Mawasi dhe kampeve qendrore të refugjatëve, ndërsa sulmet intensifikohen.
Avichay Adraee, zëdhënës i ushtrisë, tha në një deklaratë se “më shumë se një çerek milioni njerëz” tashmë kanë ikur nga qyteti dhe i ka shtyrë të tjerët ta ndjekin të njëjtin shembull.
Ai pretendoi se Izraeli po i zgjeron operacionet për ta “mposhtur Hamasin” dhe se ata që shpërngulen do të marrin “përgjigje humanitare më të mirë”.
Zyrtarët palestinezë thonë se kjo fushatë synon të zbrazë Qytetin e Gazës. Zyra e medias qeveritare tha se më shumë se 1,2 milion njerëz mbeten pavarësisht bombardimeve dhe shpërnguljeve, duke akuzuar Izraelin se po përpiqet të detyrojë 1,7 milion palestinezë të strehohen në zonën bregdetare të Al-Mawasi dhe Rafah, që mungojnë spitalet, infrastruktura ose shërbimet bazë.
Bombardimi bëhet pjesë e ofensivës më të fundit tokësore të Izraelit, e quajtur “Karrocat e Gideonit 2”, e nisur më 3 shtator për të pushtuar plotësisht Qytetin e Gazës. Plani ka marrë kritika brenda Izraelit për frikën se mund ta rrezikojë jetën e ushtarëve dhe të burgosurve të mbajtur në enklavë.
Urdhri më i fundit i evakuimit vjen ndërsa Gaza vazhdon të bombardohen pa pushim, ku më shumë se 64.700 palestinezë janë vrarë që nga tetori 2023. Ofensiva ka shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës së enklavës dhe ka shkaktuar uri që ka marrë të paktën 413 jetë, përfshirë 143 fëmijë.