Rreth 40.000 ushtarë, nga rreth 10.000 që ishin më parë, do të vendosen në kufirin lindor të Polonisë në ditët e ardhshme si përgjigje ndaj ushtrimeve ushtarake të Rusisë dhe Bjellorusisë, Zapad-2025, që fillojnë në Bjellorusi më 12 shtator, tha zv.ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Polonisë, Cezary Tomczyk.
“Polonia po përgatitet për ushtrimet Zapad-2025 prej shumë muajsh. Ushtria polake ka kryer ushtrime ku morën pjesë mbi 30,000 ushtarë”, tha Tomczyk për televizionin Polsat News të mërkurën vonë.
“Nevojiten ushtarë polakë dhe të NATO-s për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate Zapad-2025”, shtoi Tomczyk, duke theksuar se ushtrimet ruse dhe bjelloruse konsiderohen sulmuese. “Këtu filloi lufta në Ukrainë. Prandaj, ushtria polake po përgatitet për këtë. Në ditët e ardhshme do të kemi rreth 40.000 ushtarë në kufi”, tha ai.
Tomczyk tha gjithashtu se shkelja e hapësirës ajrore nga dronët rusë në natën e 9-10 shtatorit lidhej me ushtrimet ushtarake Zapad-2025. Në natën nga e martja në të mërkurën, 19 dronë hynë në Poloni, dhe ata që paraqisnin rrezik u rrëzuan.
Një ditë pas shkeljes së kufirit polak nga dronët rusë, Kremlini, Ministria ruse e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohuan që dronët e rrëzuar në Poloni të ishin të ushtrisë ruse. Bjellorusia, nga ana tjetër, tha se kishte njoftuar Poloninë dhe Lituaninë për dronët që “kishin humbur rrugën.”
Ndërkohë, Ukraina ka premtuar të ndihmojë Poloninë për të përmirësuar sistemin e saj të paralajmërimit, dhe Bashkimi Evropian ka dënuar shkeljen e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë.
Kryetarja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, lëshoi një deklaratë në emër të 27 shteteve anëtare: “Një përshkallëzim serioz i veprimeve të Rusisë, një akt agresiv dhe i pamatur që kërcënon sigurinë e qytetarëve të BE-së, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare”, tha kryetarja e politikës së jashtme të BE-së.