Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se shkeljet ruse të hapësirës ajrore të Polonisë këtë javë “mund të kenë qenë një gabim” dhe sinjalizoi pakënaqësinë e tij për incidentet.
“Mund të ketë qenë një gabim, mund të ketë qenë një gabim, por sidoqoftë, nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me të gjithë këtë situatë, por shpresoj që kjo të marrë fund së shpejti,” tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përgatitej të nisej për në Nju Jork.
Polonia njoftoi të mërkurën se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga dronë gjatë sulmeve ajrore gjatë natës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke e cilësuar incidentin si një “akt agresioni”. Kryeministri Donald Tusk i përshkroi dronët si “rusë”, ndërsa autoritetet fillimisht raportuan 19 shkelje të hapësirës ajrore.
Varshava kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendosi kufizime të gjera për fluturimet civile përgjatë kufirit lindor me Bjellorusinë dhe Ukrainën.
Incidenti ndodhi mes rritjes së shqetësimeve për sigurinë në këtë shtet anëtar të NATO-s pas shkeljeve të mërkurës me dronë, gjë që e shtyu Varshavën të forcojë koordinimin me aleatët.
Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se dronët e saj kishin ndërmarrë një operacion të gjerë sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Ukrainën perëndimore, por mohoi çdo qëllim për të goditur territorin polak.
Gjermania gjithashtu njoftoi se do të forcojë mbështetjen e saj të sigurisë për aleaten e NATO-s, Poloninë, si përgjigje ndaj shkeljeve të fundit ruse me dronë.