Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u bëri thirrje qytetarëve që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, mos ta përdorin atë për pije, duke bërë të ditur se është vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit.
"Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021, cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut", thuhet në njoftimin e IKShP-së.
"Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKShPK-ja apelon te qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës", shtoi më tej njoftimi.
IKShPK-ja thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. "Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit", tha IKShPK-ja.
IKShPK-ja ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me Kompaninë Ujësjellësi Rajonal Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.
Sipas njoftimit KRU "Prishtina" ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme, përfshirë zvogëlimin e sasisë së prodhimit për ta ruajtur cilësinë e furnizimit, intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.