Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi joformal të ministrave për çështje evropiane të organizuar në Kopenhagë, theksoi se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe avancim të konsiderueshëm viteve të fundit.
Sipas tij, Kosova ka arritur mes tjerash rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, ulje të papunësisë nga 23,8 për qind në 10,9 për qind në vetëm katër vite, përmirësim në rangime në indekse ndërkombëtare e dyfishim të investimeve të huaja direkte.
Ai gjatë takimit me temë "Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual”, theksoi se aplikimi për anëtarësim në dhjetor 2022 është tregues i synimit dhe gatishmërisë për avancim të mëtejshëm, gjersa Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për gati një dekadë tashmë.
Bislimi nënvizoi se institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat.
Krahas ministrave, pjesëmarrëse në këtë diskutim ishte edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila pas takimit, në një konferencë për media, tha se Shqipëria e Mali i Zi janë dy vendet kandidate që përparuan më herët drejt anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, Kos ka shkruar në X, se bashkë me ministrat e Evropës, kanë diskutuar për ankorimi i respektit për sundimin e ligjit, sjelljen e përfitimeve të hershme për vendet kandidate, përgatitjen e unionit për anëtarët e rinj dhe komunikimin e përfitimeve të zgjerimit për qytetarët e BE-së.