Teksa në të gjithë Shqipërinë vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike kryeministri Edi Rama deklaroi së fundmi se “për çdo karrige në hapësirën e kufizuar do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.
Në një postim në rrjetet sociale Rama shpërndau pamje nga puna e përditshme që po bëhet për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht nga bizneset.
“Atyre që shqetësohen për karriget u them bëni durim, shpejt u vjen radha së bashku me kushtet e reja për vendosje karrigesh jashtë, por si fillim mund të them se për çdo karrige në hapësirën e kufizuar publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër që do të krijojë qeveria e re”, tha Rama.
Kryeministri Rama po ashtu ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Nisma e qeverisë shqiptare për lirimin e hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe vjen në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”.