Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin me presidentin e Kinës, Xi Jinping në Pekin tha se Serbia dhe Kina janë miq të çeliktë dhe se shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve kurrë nuk ka qenë më i madh.
Vuçiq tha se Serbia e sheh Kinën si një mik të sinqertë dhe theksoi se Kina dhe presidenti i saj kanë qenë pranë Serbisë kur ajo ka kaluar kohë të vështira ekonomikisht, në shëndetësi, por edhe politikisht.
“Dhe Serbia këtë kurrë nuk mund dhe nuk do ta harrojë,” tha ai, duke theksuar se falë iniciativave të tyre dhe marrëveshjes për tregti të lirë, “shkëmbimi ynë tregtar dhe shkëmbimi i shërbimeve kurrë nuk ka qenë më i madh në historinë tonë.”
Ai tha se Serbia, së bashku me partnerët kinezë, ka përfunduar segmentin e hekurudhës ndërkombëtare Beograd – Budapest në territorin e Serbisë dhe se për 15 ditë do të hapet për qarkullim.
Ai falënderoi, ndër të tjera, për investimin në uzinën e çelikut në Smederevë nga kompania HBIS dhe për shumë investime të tjera.
Vuçiq tha gjithashtu se parada me rastin e 80-vjetorit të çlirimit nga fashizmi ishte mbresëlënëse dhe la një përshtypje të madhe në mbarë botën dhe në Serbi.