Rusia, të mërkurën, në përgjigje të akuzave të Polonisë për shkelje të hapësirës ajrore përmes dronëve, tha se nuk kishte synuar të godiste ndonjë objekt në Poloni gjatë sulmeve të saj të së martës mbrëma mbi Ukrainën dhe shprehu gatishmëri për të diskutuar incidentin me ushtrinë polake.
Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte kryer një sulm masiv mbi kompleksin ushtarako-industrial të Ukrainës në rajonet Ivano-Frankivsk, Khmelnytskyi, Zhytomyr, si dhe në qytetet Vinnytsia dhe Lviv.
“Objektivat brenda territorit të Polonisë nuk ishin parashikuar për t’u goditur. Rrezja maksimale e fluturimit të UAV-ve ruse të përdorura në këtë sulm, që thuhet se kanë kaluar në territorin polak, nuk i kalon 700 km. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë konsultime për këtë çështje me Ministrinë e Mbrojtjes së Polonisë”, thuhet në komunikatë.
Ministria pretendoi se kishte goditur objekte të industrisë mbrojtëse ukrainase që merreshin me prodhimin dhe riparimin e pajisjeve të blinduara dhe ajrore, prodhimin e motorëve dhe komponentëve elektronikë për to, si dhe prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot.
Në jug dhe jugperëndim të qytetit të Lvivit, sipas ministrisë, janë goditur punishtet e Fabrikës së Automjeteve të Blinduara në Lviv, ku kryhej riparimi dhe modernizimi i automjeteve të blinduara, si dhe Fabrika e Aviacionit LDARZ, e cila prodhonte dronë me rreze të gjatë dhe riparonte avionët luftarakë të forcave të armatosura ukrainase.
“Objektivat e sulmit janë arritur. Të gjitha shënjestrat e përcaktuara janë goditur”, shtoi ministria.
Kryeministri polak deklaroi të mërkurën se hapësira ajrore e vendit të tij ishte shkelur gjatë natës nga ajo që ai e quajti “dronë rusë”, duke shtuar se forcat kishin rrëzuar disa prej tyre.