BOTA
2 minuta leximi
EBA-ja thërret diplomatin izraelit pas sulmit ndaj Katarit
Siguria e Katarit është pjesë e pandashme e sigurisë së Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, thekson Abu Dhabi.
EBA-ja thërret diplomatin izraelit pas sulmit ndaj Katarit
EBA-ja thërret diplomatin izraelit pas sulmit ndaj Katarit / AA
6 orë më parë

Emiratet e Bashkuara Arabe të premten thirrën zëvendës-ambasadorin e Izraelit, David Ahad Horsandi, për të protestuar ndaj sulmit “frikacak dhe të pamatur” të kësaj jave ndaj Katarit, raportoi agjencia shtetërore WAM.

Reem bint Ibrahim Al Hashimy, ministre shteti për bashkëpunim ndërkombëtar, përcolli “dënimin dhe refuzimin e fortë” të Abu Dhabit ndaj sulmit dhe deklaratave “agresive” të kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke theksuar se siguria e Katarit është pjesë e pandashme e sigurisë së Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Më herët, transmetuesi izraelit KAN raportoi se ambasadori izraelit në EBA u thirr për qortim pas sulmit ndaj zyrtarëve të Hamasit në Katar në fillim të kësaj jave.

Të martën, avionët luftarakë izraelitë kryen një sulm ajror ndaj udhëheqjes së Hamasit në kryeqytetin e Katarit, duke vrarë pesë anëtarë të Hamasit dhe një oficer sigurie të Katarit.

Të mërkurën, Netanyahu iu drejtua Dohas: “Ose i dëboni ata (Hamasin) ose i nxirrni para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni, do ta bëjmë ne.”

Ai e krahasoi sulmin izraelit ndaj Dohas me ndjekjen nga ShBA-ja të Al-Kaedës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Katari e hodhi poshtë menjëherë këtë krahasim, duke e cilësuar si një “justifikim të ri, të mjerueshëm për praktikat tradhtare të Izraelit” dhe si një shkelje të papërgjegjshme të sovranitetit të tij.

Katari, së bashku me ShBA-në dhe Egjiptin, ka luajtur një rol qendror në përpjekjet për ta ndërmjetësuar fundin e luftës së Izraelit në Gaza, e cila që nga tetori 2023 ka vrarë mbi 64.700 palestinezë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us