Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare aktorja e njohur shqiptare Margarita Xhepa.
Xhepa ka ndërruar jetë sot në një nga spitalet e Tiranës, ndërkohë raportohet se vuante nga një sëmundje e mushkërive.
Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934 në Lushnjë, ndërkohë gjatë karrierës së saj të pasur ka luajtur në dhjetëra role në kinematografi dhe teatër.
Ajo mban dekoratën "Nderi i Kombit", si dhe çmime dhe dekorata të tjera.
Për ndarjen nga jeta të aktores Xhepa, zyrtarë të lartë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre të ngushëllimit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktores Xhepa.
Sipas Presidencës së Shqipërisë, përmes një mesazhi drejtuar familjes së saj, komunitetit të artistëve dhe mbarë shqiptarëve, Begaj vlerësoi figurën e Margarita Xhepës si artiste, si grua, si nënë, por dhe rolin e saj në shoqëri.
"Me trishtim mësova se Margarita Xhepa, ylli i skenës dhe ekranit shqiptar, u shua sot. Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare. Artistja e madhe, një figurë publike e respektuar, grua dhe nënë e nderuar, deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit", është shprehur Begaj në mesazhin e tij.
Ceremonia e homazheve për nder të aktores Xhepa do të mbahet më 4 prill në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.