TÜRKİYE
2 minuta leximi
Presidenti turk diskuton paqen në Kaukazin e Jugut me kryeministrin armen
Liderët u takuan në Kinë ndërsa Türkiye shpreh mbështetjen për procesin e paqes Armeni-Azerbajxhan.
Presidenti turk diskuton paqen në Kaukazin e Jugut me kryeministrin armen
Presidenti turk diskuton paqen në Kaukazin e Jugut me kryeministrin armen / AA
1 Shtator 2025

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, bisedoi të hënën me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, për përpjekjet e paqes në Kaukazin e Jugut gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes.

Në takim u trajtuan marrëdhëniet Türjkiye-Armeni në dritën e hapave drejt stabilitetit dhe paqes së përhershme në Kaukazin e Jugut, bëri të ditur drejtoria përmes platformës turke të mediave sociale, NSosyal.

Erdoğan shprehu kënaqësinë për përparimin në procesin e paqes Armeni-Azerbajxhan dhe theksoi se Türkiye mbështet paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon, duke vazhduar të kontribuojë në proces.

Ai vuri në dukje se Ankaraja po vlerëson hapat për të rritur bashkëpunimin mes Türkiyes dhe Armenisë.

Erdoğan mbërriti në Kinë të dielën dhe zhvilloi takime dypalëshe me homologun e tij kinez, Xi Jinping, si dhe me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Samiti i 25-të i OBSh-së u hap të hënën me fjalimin hyrës të Presidentit Xi.

Organizata ka evoluar nga mekanizmi i “Pesëshes së Shangait”, që përfshinte Kinën, Rusinë, Kazakistanin, Kirgizinë dhe Taxhikistanin, përpara se Uzbekistani t’i bashkohej si anëtari i gjashtë. Sot, ajo përfshin 10 shtete anëtare, dy vëzhgues dhe 14 partnerë dialogu në Azi, Evropë dhe Afrikë.

Organizata mbulon afërsisht 24 për qind të sipërfaqes tokësore të globit dhe 42 për qind të popullsisë botërore, ndërsa shtetet anëtare përbëjnë rreth një të katërtën e PBB-së globale dhe tregtia mes tyre është rritur gati 100 herë në dy dekadat e fundit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us