Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet më 12 shtator 2025, në orën 10:00.
Presidenti Begaj përcolli mesazh për hapjen e legjislaturës së re të Kuvendit, që e cilësoi si faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë.
Begaj vuri në dukje se Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane.
Në mesazhin drejtuar deputetëve, Begaj theksoi se legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit.
Sipas tij, përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci.
Kreu i Shtetit u kujtoi deputetëve se procesi ligjvënës dhe cilësia e ligjeve duhet të pasqyrojnë nevojat reale të shoqërisë shqiptare, sfidat e zhvillimit dhe përpjekjet për drejtësi e mundësi të barabarta.
“Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme”, theksoi Presidenti Begaj.
Porosi të Begajt për legjislaturën e re janë edhe vazhdimi i përfaqësimit dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe përkushtimi në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon.