LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Maxime Prevot: Belgjika do ta njohë Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Kryediplomati belg Maxime Prevot tha se vendi i tij do t’i bashkohet shteteve të tjera që këtë muaj në Nju Jork do ta njohin shtetësinë palestineze.
Maxime Prevot: Belgjika do ta njohë Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Maxime Prevot: Belgjika do ta njohë Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së / AA
9 orë më parë

Belgjika do ta njohë Palestinën si shtet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet këtë muaj në Nju Jork, njoftoi të hënën ministri i Jashtëm Maxime Prevot.

Në një deklaratë në platformën X, Prevot tha se Belgjika do t’i bashkohet shteteve të tjera në njohjen e Palestinës, duke miratuar njëkohësisht një paketë sanksionesh ndaj Izraelit.

“Po vendosen sanksione të forta ndaj qeverisë izraelite. Çdo antisemitizëm apo lavdërim i terrorizmit nga mbështetësit e Hamasit do të dënohet gjithashtu më ashpër”, shkroi ai.

Prevot theksoi se këto hapa synojnë të mbrojnë të drejtën ndërkombëtare, jo të ndëshkojnë qytetarët izraelitë.

Vendimi i Belgjikës vjen pasi disa vende, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Australinë, kanë njoftuar plane të ngjashme për ta njohur Palestinën gjatë Asamblesë së Përgjithshme, duke iu bashkuar kështu 147 shteteve që tashmë e kanë bërë këtë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së fillon më 9 shtator.

Izraeli vazhdon ta pushtojë territorin palestinez dhe refuzon një tërheqje që do të mundësonte krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, në kufijtë para vitit 1967.

Të premten, Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se po anulonte vizat për anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) dhe Autoritetit Palestinez (AP) përpara mbledhjes.

Ky hap erdhi në mes të zemërimit në rritje global për ofensivën brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku mbi 63.500 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore dhe tokësore që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Bllokada e plotë e Rripit të Gazës, në fuqi që nga fillimi i marsit, ka krijuar kushte katastrofike për 2,4 milionë banorët e tij, duke shkaktuar uri masive, përhapje të sëmundjeve dhe kolaps të shërbimeve bazë.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën e tij në enklavë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us