Të paktën 63.633 palestinezë janë vrarë nga lufta gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës që prej tetorit 2023, pasi edhe 13 persona të tjerë, përfshirë tre fëmijë, kanë vdekur nga uria në këtë enklavë, njoftoi të martën Ministria e Shëndetësisë.
Nëpërmjet një komunikate, ministria bëri të ditur se 76 trupa janë sjellë në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 281 persona janë plagosur, duke e çuar numrin total të të plagosurve në 160.914 që prej fillimit të ofensivës izraelite.
“Shumë viktima vazhdojnë të jenë nën rrënoja dhe nëpër rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t’i arrijnë”, thotë ministria.
Ministria po ashtu shtoi se vetëm në 24 orët e fundit 12 palestinezë janë vrarë dhe mbi 90 janë plagosur nga ushtria izraelite teksa përpiqeshin të siguronin ndihma humanitare. Kjo e çon numrin e palestinezëve të vrarë gjatë përpjekjes për ndihma që prej 27 majit në 2.306, ndërsa të plagosurit janë mbi 16.929.
Gjithashtu, 13 palestinezë të tjerë, mes tyre tre fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit. Bilanci i përgjithshëm i vdekjeve nga uria që prej tetorit 2023 arrin kështu në 361 persona, mes tyre 130 fëmijë.
Vetëm në gusht, sipas ministrisë, 185 persona, përfshirë 12 fëmijë, vdiqën nga uria, shifra më e lartë mujore që prej fillimit të luftës. 70 nga këto vdekje ndodhën pas shpalljes zyrtare nga sistemi ndërkombëtar IPC se Gaza është zonë urie, muajin e kaluar.
Zyrtarët shëndetësorë raportuan gjithashtu se mbi 43.000 fëmijë nën moshën 5 vjeçare po vuajnë nga kequshqyerja, së bashku me 55.000 gra shtatzëna dhe nëna gjidhënëse.
Sipas tyre, 67 për qind e grave shtatzëna tashmë vuajnë nga anemia, përqindja më alarmante e dokumentuar në vite.
Ministria paralajmëroi për pasoja katastrofike nëse nuk dërgohen menjëherë ushqime dhe medikamente urgjente, duke theksuar përshkallëzimin e shpejtë të vdekjeve të lidhura me urinë.
Që prej 2 marsit, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke e shtyrë popullsinë prej 2,4 milionë banorësh drejt urisë masive.
Izraeli rifilloi sulmet mbi Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë që prej asaj kohe 11.402 persona dhe plagosur 48.900 të tjerë, duke thyer armëpushimin dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve që ishte arritur në janar.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po ashtu përballet me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën në enklavë.