LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Protestë para misionit të OKB-së në Ramallah kundër urisë në Gaza
"Është koha që bota të dëshmojë se drejtësia dhe të drejtat ekzistojnë. Përndryshe, çfarë dobie kanë OKB-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nëse nuk arrijnë ta ndalojnë këtë krim?", tha aktivisti Omar Assaf.
Protestë para misionit të OKB-së në Ramallah kundër urisë në Gaza
Protestë para misionit të OKB-së në Ramallah kundër urisë në Gaza / AA
18 orë më parë

Palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar mbajtën protestë duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për t'i dhënë fund urisë së shkaktuar nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Me thirrjen e organizatave palestineze të shoqërisë civile, dhjetëra palestinezë u mblodhën përpara misionit të OKB-së në Ramallah. Protestuesit mbajtën pankarta që dënojnë krimet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe heshtjen e komunitetit ndërkombëtar.

Duke folur për gazetarin e AA-së, aktivisti palestinez Omar Assaf tha: "Mesazhi ynë sot si ai i të gjithë palestinezëve, është se ka ardhur koha që bota dhe OKB-ja të ndërmarrin veprime për t'i ndaluar krimet e Izraelit, përfshirë gjenocidin, urinë dhe shkatërrimin e infrastrukturës, të cilat i ka kryer për gati 23 muaj".

Gjithashtu, Assaf reagoi ndaj heshtjes së institucioneve ndërkombëtare. "Është koha që bota të dëshmoje se drejtësia dhe të drejtat ekzistojnë. Përndryshe, çfarë dobie kanë OKB-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nëse nuk arrijnë ta ndalojnë këtë krim?", tha ai.

"Popujt e botës qëndrojnë me ne dhe u bëjnë presion qeverive të tyre që të ndalojnë këtë krim izraelit, të paprecedentë në kohët moderne", shtoi Assaf.

Izraeli e ka zhytur Rripin e Gazës në uri duke mbyllur kalimet kufitare dhe duke bllokuar hyrjen e ndihmave që nga 2 marsi. Njerëzit në Rripin e Gazës vdesin çdo ditë nga uria, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit presin mijëra kamionë me ndihma.

Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) i OKB-së, në raportin e tij të publikuar më 22 gusht njoftoi se në qytetin e Gazës po përjetohet uri dhe se ajo mund të përhapet në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi sot se nëntë palestinezë të tjerë, përfshirë tre fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve nga uria që nga 7 tetori 2023, në 348 prej të cilëve 127 janë fëmijë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us