LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
SCO-ja bën thirrje për armëpushim në Gaza dhe zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze
Organizata gjithashtu kërkoi ofrimin e ndihmës humanitare për enklavën palestineze të bllokuar në Gaza.
SCO-ja bën thirrje për armëpushim në Gaza dhe zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze
SCO-ja bën thirrje për armëpushim në Gaza dhe zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze / AA
18 orë më parë

Liderët e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) shprehën të hënën shqetësim të thellë për përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit izraelito-palestinez dhe për situatën katastrofike humanitare në Gaza.

“Dënojmë ashpër veprimet që kanë çuar në një numër të madh viktimash mes civilëve,” thuhet në deklaratën e përbashkët të lëshuar pas samitit të 25-të të krerëve të shteteve dhe qeverive të SCO-së, mbajtur në qytetin portual Tianjin të Kinës veriore.

Shtetet anëtare të SCO-së theksuan nevojën për të arritur sa më shpejt një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, të garantohet dërgimi i ndihmës humanitare në Gaza dhe të intensifikohen përpjekjet për t'i siguruar paqen, stabilitetin dhe sigurinë për popullsinë e rajonit.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme është një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe e drejtë e çështjes palestineze, sipas Deklaratës së Tianjinit.

Kina ishte mikpritëse e samitit dyditor në Tianjin, ku udhëheqësit e SCO-së miratuan një plan zhvillimi 10-vjeçar dhe u dakorduan për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë.

Deklarata e bllokut erdhi në kohën kur numri i të vrarëve në Gaza u rrit në 63.557, që nga fillimi i luftës gjenocidale izraelite në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i të plagosurve palestinezë ka arritur në 160.660.

Që nga data 2 mars, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke e shtyrë popullsinë prej 2,4 milionë banorësh drejt urisë ekstreme.

Sipas një vlerësimi për sigurinë ushqimore të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, uria është konfirmuar tashmë në veri të Gazës, dhe pritet të shtrihet më tej drejt jugut deri në fund të shtatorit.

Ushtria izraelite vazhdoi sulmet në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë 11.426 njerëz dhe plagosur 48.619 të tjerë, duke shkelur marrëveshjen për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve që kishte hyrë në fuqi në janar.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us