Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se Moska nuk ka asnjë të drejtë të vendosë nëse trupat perëndimore mund të vendosen në Ukrainë, duke theksuar se sovraniteti i Kievit duhet të respektohet.
“Pse duhet të na interesojë çfarë mendon Rusia për trupat në Ukrainë? Është një komb sovran. Nuk është për ta të vendosin,” tha Rutte në Samitin e Mbrojtjes IISS në Pragë.
“Ukraina është një komb sovran, nëse Ukraina dëshiron të ketë forca garancie sigurie në territorin e saj për të mbështetur një marrëveshje paqeje, kjo është në dorën e saj. Askush tjetër nuk mund të vendosë për këtë. Dhe mendoj se duhet vërtet të ndalojmë së i dhëni (Presidentit rus Vlladimir) Putin shumë pushtet,” shtoi ai.
“Kërcënimi nuk do të mbarojë kur të mbarojë kjo luftë”
Rutte e përshkroi luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës si “shembullin më të qartë” të kërcënimeve aktuale të sigurisë, por paralajmëroi se sfida nuk do të përfundojë me këtë konflikt.
“Kërcënimi nuk do të mbarojë kur të mbarojë kjo luftë. Dhe sfida nuk kufizohet vetëm te Rusia. Kina, Irani dhe Koreja e Veriut paraqesin sfida individualisht dhe si rezultat i bashkëpunimit mes tyre. Ata po rrisin bashkëpunimin e tyre industrial të mbrojtjes në nivele të paprecedenta. Po përgatiten për një përballje afatgjatë. Prandaj, edhe ne duhet të jemi të përgatitur,” tha ai.
Rutte theksoi lidhjen në rritje mes teatrove të sigurisë Euro-Atlantike dhe Indo-Paqësore, duke përmendur bashkëpunimin më të ngushtë me Japoninë, Australinë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut.
“Nëse një ditë Kina vendos ta sulmojë Tajvanin, nuk do të kufizohet vetëm në atë sulm. Pse të mos thërrasë (Presidenti kinez) Xi Jinping partnerin e tij më të vogël Vladimir Putinin që të na mbajë të zënë këtu në Europë, në zonën e Atlantikut të Veriut?” tha ai.
“Paratë vetëm nuk mund të garantojnë sigurinë”
Shefi i NATO-s tha se siguria nuk mund të sigurohet vetëm me para, duke bërë thirrje për përpjekje më të forta të industrisë së mbrojtjes në të gjithë aleancën.
“Paratë vetëm nuk mund të garantojnë sigurinë. Na duhen kapacitetet, fuqia e vërtetë e zjarrit, teknologjia e re dhe ‘metali i rëndë’, dhe kjo është ajo që industria jonë e mbrojtjes në gjithë aleancën duhet të prodhojë më shpejt se kurrë më parë – në Europë, në SHBA, kudo në aleancë… Thjesht nuk po prodhojmë mjaftueshëm”, paralajmëroi ai.
Ai kujtoi se deri vonë Rusia po prodhonte më shumë municion sesa të gjithë anëtarët e NATO-s së bashku, pavarësisht se kishte një ekonomi më të vogël se shteti i Teksasit në ShBA. Por, ai nënvizoi se Europa tashmë po rrit ndjeshëm prodhimin.
Rutte vlerësoi udhëheqjen amerikane brenda aleancës, veçanërisht nën Presidentin Donald Trump, duke argumentuar se kjo ndihmoi në shtyrjen e aleatëve për të përmbushur angazhimet më të larta të shpenzimeve për mbrojtjen.
“Kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë pa Trumpin,” tha ai, duke shtuar se aleatë si Italia, Kanadaja, Spanja dhe Belgjika u angazhuan për objektivin e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen në samitin e qershorit në Hagë.