BOTA
2 minuta leximi
Protesta kundër politikave të Macronit në Francë
Për muaj të tërë, protestat janë shënuar në të gjithë Francën, pas thirrjeve të bëra në platformat e mediave sociale nën sloganin "Le të ndalojmë gjithçka".
Protesta kundër politikave të Macronit në Francë
Protesta kundër politikave të Macronit në Francë / Reuters
10 Shtator 2025

Franca e filloi ditën me protesta kundër politikave socio-ekonomike të Presidentit Emmanuel Macron. 

Për muaj të tërë, protestat janë shënuar në të gjithë Francën, pas thirrjeve të bëra në platformat e mediave sociale nën sloganin "Le të ndalojmë gjithçka".

Protestuesit që kundërshtojnë politikat socio-ekonomike të Macronit kanë ndërmarrë iniciativa të ndryshme që nga orët e para të mëngjesit në kryeqytetin Parisi si dhe qytetet Lion dhe Rennes për të ndaluar trafikun dhe për të penguar hyrjen e autobusëve në qytet.

Sipas lajmeve në mediave kombëtare, qindra protestues u mblodhën në rrugën e unazës në jug dhe në veri të Rennes dhe ngritën bllokime rrugore për të ndaluar trafikun.

Protestuesit në veri të qytetit i vunë flakën barrikadave. Forcat e sigurisë i larguan protestuesit nga zona, duke lejuar që trafiku, i cili ishte ndërprerë përkohësisht, të rrjedhë përsëri.

Gjithashtu njoftohet se poshtë urës Alma në Rennes u dogj një autobus.

Në Lion, një nga qytetet më të mëdha të vendit, protestuesit përmbysën koshat e mbeturinave në shinat e tramvajit dhe u vunë flakën.

Protestat ndërprenë trafikun në autostradën M7 në qytet, ndërsa para Universitetit Lyon-1 u ngritën gjithashtu barrikada.

Gjatë demonstratave mbarëkombëtare u arrestuan gjithsej 85 persona, 75 prej të cilëve ishin në kryeqytet, Paris.

Sipas pamjeve të shpërndara në mediat sociale, policia po qëndron para terminalit të autobusëve në Paris, ku ndodhen protestuesit të cilët po përpiqen të pengojnë daljen në trafik të autobusëve të transportit publik.

Ekipet e policisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që dolën në rrugë për të bllokuar trafikun në pikën e Portës Montreuil në unazën e Parisit.

Edhe disa nxënës të shkollave të mesme në pjesë të ndryshme të kryeqytetit kanë ngritur gjithashtu barrikada me kosha plehrash para shkollave të tyre.

Demonstratat në të cilat pritet të marrin pjesë 100.000 njerëz në të gjithë vendin, thuhet se do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us