Instituti i Statistikave (INSTAT) raporton se numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka arritur në 21.940 në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 2,2 për qind krahasuar me vitin 2023.
Këto të dhëna pasqyrojnë një tendencë në rritje të interesit të të huajve për të jetuar dhe punuar në Shqipëri.
Kryesisht, sipas statistikave, numrin më të lartë të të huajve e përbëjnë meshkujt me 61,9 për qind, ndërsa femrat zënë 38,1 për qind. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo nga 30 deri në 39 vjeç, që përbën 24,6 për qind të të huajve gjithsej.
Po ashtu, një rritje prej 6,0 për qind u pa edhe te numri i aplikimeve për leje qëndrimi, krahasuar me vitin 2023. Shtetasit nga Italia dhe India përbëjnë 28,8 për qind të aplikimeve.
Shtetasit nga Kosova, Italia dhe Türkiye përbëjnë numrin më madh me leje qëndrimi në Shqipëri.
INSTAT bën të ditur se arsyeja kryesore e të huajve për të marrë leje qëndrimi në Shqipëri është punësimi, i cili zë 54,3 për qind të totalit. Pas tij renditet bashkimi familjar me 24,5 për qind, arsye të tjera me 16,3 për qind, studimet me 4 për qind dhe qëllimet humanitare me 0,9 për qind.
Ndërkaq, në 2024 u identifikuan 1540 të huaj të parregullt në territorin e Shqipërisë, duke shënuar një rënie të konsiderueshme, krahasuar me 6630 në vitin 2023.
Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës
Në vitin 2024, numri i të huajve me origjinë nga Kosova që banojnë në Shqipëri arriti në 4.592, duke shënuar një rritje prej 23,7 për qind krahasuar me vitin 2023. Pas tyre renditen shtetasit me origjinë nga Italia, me 3.763 banorë, që përfaqësojnë një rritje prej 11,5 për qind krahasuar me një vit më parë.
Evropa zë pjesën më të madhe me 65,5 për qind (14.367 persona me leje qëndrimi), duke shënuar një rënie prej 5,6 për qind, krahasuar me 2023; Azia ka shënuar rritje të ndjeshme me 20,1 për qind (4545 persona); Amerika, Afrika dhe Oqeania rritje me 23,4 për qind (3028 persona).
Të dhëna mbi të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri si dhe të huajt e parregullt sigurohen nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin.