Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua në Beograd me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen.
Takimi u zhvillua në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm, dhe pas takimit, Vuçiq shpërndau një postim në Instagram, ku tha se biseda ishte e hapur dhe e fokusuar në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën nën ndërmjetësimin e BE-së, si dhe në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.
"E theksova se është thelbësore që dialogu të kthehet te parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar, para se gjithash tek detyrimi për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve tanë," shkroi Vuçiq në Instagram.
Ai gjithashtu theksoi se përpjekja për ta ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme konfirmon edhe një herë se respektimi i të drejtave dhe lirisë së veprimit politik të serbëve në Kosovë është i rrezikuar.
"Politika jonë është një politikë paqeje, e angazhuar fort në kërkimin e zgjidhjeve kompromis nëpërmjet dialogut, por edhe në luftën e vendosur dhe të përgjegjshme për ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare," theksoi ai.
Vuçiq shtoi se vetëm me respekt të ndërsjellë, përgjegjësi të qartë dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura mund të flitet për stabilitet të vërtetë në gjithë rajonin.
Ky është takimi i tretë i Vuçiq dhe Sorensen, pas bisedimeve të marsit në Beograd dhe atyre të qershorit në Pragë.
Sorensen mori detyrën e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë më 1 shkurt, duke zëvendësuar Mirosllav Lajçak, dhe që nga atëherë ka vizituar disa herë Kosovën, hera e fundit në fillim të gushtit.