Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral Enrico Barduani.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes, Misajllovski me Barduanin diskutoi rolin e rëndësishëm të këtij misioni në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjithë rajonit.
"Ky mision i NATO-s është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një rajon edhe më të qëndrueshëm dhe të sigurt. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj kontributit tonë në KFOR dhe mbështetjes logjistike që i ofrojmë këtij misioni në të ardhmen", tha Misajllovski.
Misajllovski tha se në kohë ndryshimesh serioze gjeopolitike dhe të paqëndrueshmërie, një rajon i sigurt është me rëndësi prioritare, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të jetë një shtyllë sigurie në Ballkan.
Duke pasur parasysh se mandati i gjeneral Barduanit si Komandant i KFOR-it po përfundon së shpejti, ministri Misajllovski e falënderoi atë për "bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer në lidhje me kontingjentin maqedonas në këtë mision".
Gjenerali Barduani, nga ana e tij, theksoi se ushtarët e Maqedonisë së Veriut demonstrojnë profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të plotë ndaj detyrave dhe përgjegjësive të tyre çdo ditë.
Ai shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut në misionin KFOR, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Si pjesë e vizitës, gjeneral Barduani u takua edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.
Ushtria e Maqedonisë së Veriut kontribuon në misionin e KFOR-it që nga viti 2020.