Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit për kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i cili u zgjodh në këtë post në seancën e ditës së sotme.
Në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Begaj shkruan: "Urime, Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj".
Kryetarja e Kuvendit të Shqipëri, Elisa Spiropali, ka uruar Dimal Bashën për zgjedhjen në postin e kryeparlamentarit të Kosovës.
"Urime e sukses kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve", thuhet në mesazhin e Spiropalit, publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në mesazhin e saj thuhet se "Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon."
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është emëruar kryetar i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari i ri i Kosovës mori 73 vota pro, ndërsa kundër ishin 30 deputetë dhe tri abstenime.