Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se është i përgatitur të vendosë sanksione të mëdha ndaj Rusisë nëse të gjithë anëtarët e NATO-s bien dakord të ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe të ndërmarrin hapa të ngjashëm.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi:
“Një letër e dërguar nga presidenti Donald Trump për të gjithë vendet e NATO-s dhe botën: Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të kenë rënë dakord, dhe të kenë nisur të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kur të gjitha vendet e NATO-s TË NDALIN BLERJEN E NAFTËS NGA RUSIA.”
Ai shtoi se angazhimi i NATO-s për t’u përballur me Moskën ka qenë “shumë më pak se 100%,” dhe e përshkroi vazhdimin e blerjeve të naftës ruse nga “disa” vende si “shokues.”
Trump gjithashtu propozoi që NATO, si grup, të vendosë tarifa 50-100% ndaj Kinës, duke argumentuar se ajo “ka një kontroll të fortë, madje një kapje, mbi Rusinë, dhe këto Tarifa të fuqishme do ta thyejnë atë kapje.”
“Kjo nuk është LUFTA E TRUMPIT (ajo kurrë nuk do të kishte nisur nëse unë do të isha President!), është lufta e Biden-it dhe e Zelenskyyt”, shkroi ai. “Unë jam këtu vetëm për ta ndalur, dhe për të shpëtuar mijëra jetë ruse dhe ukrainase.”
Më herët Trump kishte kërcënuar me sanksione dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, nëse nuk ka përparim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila vazhdon që nga viti 2022. Ai tashmë ka vendosur një tarifë shtesë prej 25 për qind mbi mallrat indiane, duke përmendur importet e vazhdueshme të naftës ruse nga India.
Vendet e G7-ës dhe BE-ja kanë ndërprerë lidhjet tregtare dhe kanë vendosur një çmim tavan për naftën ruse, dhe si përgjigje Rusia ka rritur shitjet e naftës në vende si Kina dhe India.
Blloku me 27 anëtarë është zotuar ta heqë gradualisht importin e të gjitha lëndëve djegëse fosile nga Rusia deri në vitin 2028.