9 Korrik 2025
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka firmosur një vendim për angazhimin e ushtrisë në luftimin e zjarreve që kanë përfshirë vendin.
Siç thuhet në një njoftim nga Zyra e Presidentes, Siljanovska-Davkova ka nënshkruar vendimin në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Krizave, për të përfshirë një pjesë të ushtrisë në shuarjen e zjarreve.
Angazhimi i pjesëtarëve të ushtrisë vjen pas shpalljes së gjendjes së krizës nga qeveria e vendit.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë do ta përcaktojë mënyrën e angazhimit të saj.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje shpalli gjendje krize me kohëzgjatje 30-ditore në mbarë vendin për shkak të rritjes së rasteve të zjarreve.