Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, raportoi se gjatë orëve të fundit janë evidentuar pesë vatra zjarri, ku tre mbeten ende aktive, ndërsa dy nën monitorim.
Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, vatrat e zjarrit janë evidentuar dhe po monitorohen në bashkitë Tiranë, Bulqizë, Fushë-Arrëz dhe Kolonjë.
Ndërkohë, në vend vazhdojnë operacionet për shuarjen dhe monitorimin e zjarreve, duke u angazhuar forca zjarrfikëse dhe forca nga institucione të tjera.
Në javët e fundit Shqipëria u përfshi nga zjarre masive që shkaktuan viktima dhe të lënduar, si dhe dëme materiale në banesa.
Në operacionet për shuarjen e tyre u angazhuan Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale. Në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri u angazhuan edhe avionë nga disa shtete, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet nivel rrezik "i moderuar" në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera pritet nivel rrezik "i ulët". Sipas institutit, nё disa qarqe pritet rrezik "i lartë" vetёm nё zona tё lokalizuara.