Vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës është caktuar që të mbahet më 20 gusht, të mërkurën nga ora 11:00, transmeton Anadolu.
Drejtoria për Media e Kuvendit të Kosovës njoftoi se rendi i ditës në këtë seancë është në dy pika; zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca po caktohet pasi të hënën u publikua aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstitutive dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nis të rrjedhë nga e marta, 19 gusht. Aty thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Propozimi fillestar për kryetare të Kuvendit, i partisë më të madhe në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë Albulena Haxhiu, e cila nuk mori mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve që të emërohej e para e institucionit legjislativ në vend.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Tutje, Gjykata konstatoi se Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës, procedimi i votimit të kryeparlamentarit.
Deputetët e Legjislaturës së Nëntë nga 15 prilli deri më 26 korrik 2025 mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, pa rezultat në konstituimin e plotë të institucionit legjislativ.
Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Kjo u kundërshtua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.