BOTA
3 minuta leximi
ShBA-ja: Të gjitha 55 milionë vizat mund t’i nënshtrohen rishikimit
Departamenti i Shtetit thotë se vizat mund të anulohen nëse mbajtësit kanë qëndruar më shumë se afati, kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale, apo kanë mbështetur terrorizmin.
ShBA-ja: Të gjitha 55 milionë vizat mund t’i nënshtrohen rishikimit
SHBA: Të gjitha 55 milionë vizat mund t’i nënshtrohen rishikimit / AA
22 Gusht 2025

Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka deklaruar se të gjithë 55 milionë të huajt që mbajnë viza për Shtetet e Bashkuara i nënshtrohen një rishikimi të vazhdueshëm, ndërsa Presidenti Donald Trump forcon fushatën e tij kundër vizave dhe emigracionit.

“Vlerësimi i vazhdueshëm i Departamentit përfshin të gjithë mbi 55 milionë të huaj që aktualisht mbajnë viza të vlefshme për SHBA,” tha të enjten një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

“Departamenti i Shtetit i anulon vizat sa herë që ka tregues të mundshëm të papërshtatshmërisë, gjë që përfshin shenja si qëndrime më gjatë se afati i lejuar, aktivitete kriminale, kërcënime ndaj sigurisë publike, përfshirje në ndonjë formë të aktivitetit terrorist apo mbështetje për një organizatë terroriste.”

Edhe pse zyrtari nuk tha shprehimisht se të gjitha vizat janë nën shqyrtim aktiv, mesazhi ishte i qartë: administrata e konsideron çdo mbajtës vize si subjekt të kontrollit të mundshëm.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se kontrolli po bëhet gjithnjë e më i rreptë, veçanërisht për studentët.

“Po shqyrtojmë të gjitha vizat studentore,” tha ai, duke shtuar se Departamenti i Shtetit është “në monitorim të vazhdueshëm të asaj që njerëzit kanë thënë” në rrjetet sociale, informacion që aplikantët tani janë të detyruar ta deklarojnë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, është mbështetur në një ligj pak të njohur për të anuluar vizat e personave që konsiderohen si kundërshtues të interesave të politikës së jashtme të SHBA-ve, duke shënjestruar veçanërisht protestuesit kundër Izraelit.

Departamenti i Shtetit bëri të ditur se ka anuluar 6,000 viza që kur Rubio mori detyrën bashkë me Trump në janar — katër herë më shumë se numri i vizave të anuluara nga administrata e Joe Biden në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Rubio ka argumentuar se administrata mund të lëshojë dhe të revokojë viza pa rishikim gjyqësor, duke theksuar se shtetasit jo-amerikanë nuk gëzojnë të drejtën kushtetuese për lirinë e shprehjes në SHBA.

Megjithatë, gjyqtarët kanë kundërshtuar në disa raste me profil të lartë.

Fushatë e ashpër

Mahmoud Khalil, një banor i përhershëm ligjor që udhëhoqi protesta pro-palestineze në Universitetin Columbia, u lirua nga një gjyqtar në qershor.

Disa ditë pas arrestimit të Khalil, u përmbush një tjetër veprim i administratës Trump, kur u arrestua studenti tjetër pro-palestinez, Badar Khan Suri, një studiues indian në Universitetin Georgetown. Avokati i tij tha se arrestimi u bë për shkak të identitetit palestinez të gruas së tij. Ai u lirua në maj.

Pas arrestimit të Surit, autoritetet nisën të ndiqnin edhe një tjetër student pro-palestinez, Momodou Taal, duke i kërkuar të dorëzohej vetë.

Më 25 mars, Yunseo Chung, një studente në Universitetin Columbia, tha se kishte paditur administratën Trump për të ndalur deportimin e saj nga SHBA, për shkak të pjesëmarrjes në një protestë pro-Palestinë pranverën e kaluar.

Po më 25 mars, Rumeysa Ozturk, një studente e doktoraturës në Universitetin Tufts, u rrëmbye në mes të ditës nga autoritetet amerikane, pasi kishte kritikuar masakrat e Izraelit në Gaza.

Më 14 prill, autoritetet arrestuan Mohsen Mahdawi gjatë intervistës për nënshtetësi, përpara se ai të lirohej më 30 prill.

Ndërkohë, të enjten, Rubio njoftoi se administrata po ndalon lëshimin e vizave të punës për shoferët e huaj të kamionëve komercialë, duke u justifikuar me sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e shoferëve amerikanë të kamionëve.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us