Mbi 240.000 raste dhe 90 vdekje janë regjistruar me virusin CHIKVD (Chikungunya) në mbarë botë, që nga fillimi i këtij viti, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Rastet e virusit janë regjistruar deri në korrik në 16 vende dhe rajone në Amerikë, Afrikë, Azi dhe Evropë.
Shumica e rasteve u raportuan në Amerikën Latine, ndërsa mbi 34.000 infeksione u konfirmuan në Azi, në vende si Kina, India, Sri Lanka, Mauritius, Singapori, Pakistani, Tajvani dhe Hong Kongu.
Amerika Latine ka numrin më të lartë të rasteve të chikungunyas, me Brazilin që regjistroi 185.553 raste, Bolivinë 4.721, Argjentinë 2.836 dhe Peru 55.
Në Azi, provinca jugore kineze Guangdong shënoi numrin më të madh të rasteve të sëmundjes virale, afërsisht 8.000, gjatë këtij viti.
Singapori dhe Tajvani regjistruan gjithashtu nga 17 raste, ku shumica e të infektuarëve kishin histori udhëtimesh në rajone të prekura.
Në rajonin afrikan u raportuan raste chikungunya në Senegalin dhe Kenian.
Ndërkohë, në BE (përjashtuar rajonet më të largëta), janë raportuar 31 raste autohtone me CHIKVD, nga të cilat 30 në Francë dhe 1 në Itali. Për më tepër, mbi 54.000 raste me CHIKVD janë raportuar në rajonin më të largët francez, Réunion, deri më 18 korrik 2025.
Çfarë është chikungunya dhe cilat janë simptomat?
Chikungunya shkaktohet nga një virus që gjendet në shumë pjesë të botës, përfshirë Afrikën, Amerikën, Azinë, Evropën dhe ishujt në Oqeanin Indian dhe Paqësor.
Ky virus i përket grupit të viruseve të quajtura alphavirusë. Njerëzit infektohen me virusin e chikungunyas kur mushkonjat ushqehen me gjakun e një personi të infektuar dhe më pas i kafshojnë ata.
Shumica e njerëzve që kafshohen nga një mushkonjë e infektuar i shohin simptomat e chikungunyas brenda tre deri në shtatë ditë.
Përveç etheve dhe dhimbjeve në nyje, simptomat e tjera përfshijnë skuqje të lëkurës, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të nyjeve.
Në shumicën e rasteve, pacientët ndihen më mirë brenda një jave. Megjithatë, në rastet e rënda, dhimbjet në nyje mund të zgjasin muaj ose edhe vite.
Në rrezik për sëmundje më të rëndë janë foshnjat e sapolindura, të moshuarit dhe personat me sëmundje të tjera kronike, si sëmundjet e zemrës ose diabeti.
Nuk ka kurë për chikungunyan, por vdekjet nga kjo sëmundje janë të rralla.
Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Më pas u përhap në vende të tjera në Afrikën nën-Sahariane dhe në Azinë Juglindore.
Derisa tani, është raportuar në më shumë se 110 vende.