Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, të gjitha forcat e shërbimit diplomatik të Shqipërisë në botë duhet të fokusohen tek arritja e objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij në konferencën 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë, Rama u shpreh: “konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumëndërruar të BE-së dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo, nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë tek ky objektiv historik që tanimë është më afër se asnjëherë tjetër dhe që duhet përmbushur me finalizimin me sukses të procesit të negociatave për anëtarësim, me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit në 27 parlamentet të vendeve anëtare të BE-së”.
Sa i përket negociatave, kryeministri i Shqipërisë u shpreh se ato zhvillohen mbi bazë dypalëshe mes Republikë së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, por, Rama shtoi se: “e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme patjetër, siç e kemi parë dhe në të shkuarën nga faktorë të ndryshëm”.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri i Shqipërisë theksoi se është me rëndësi puna e përditshme e shërbimit diplomatik shqiptar dhe fokusi i përditshëm i tyre, sidomos në disa prej vendeve evropiane ku nevoja për të ushqyer me energji pozitive nga Shqipëria politikëbërësit dhe opinionin publik, është e një rëndësie të veçantë.
Rama theksoi se konferenca zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë dhe kur profili i Shqipërisë si një realitet në zhvillim është absolutisht një aset, i cili duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje.