Shqiptarë nga ShBA-ja dhe vende të ndryshme të Evropës janë mbledhur në Hagë për të marrë pjesë në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Protesta, e cila pritet të nisë në orën 14:00, nuk do të zhvillohet përpara ndërtesës së Gjykatës Speciale për arsye sigurie, por vetëm pranë saj.
Pjesëmarrësit, ish-luftëtarë dhe qytetarë nga vende të ndryshme të botës, kanë përgatitur pankarta me mesazhe në gjuhën angleze, pasi ato u drejtohen stafit ndërkombëtar të Gjykatës dhe Bashkimit Evropian, që është financues i këtij institucioni. Disa autobusë me protestues janë nisur edhe nga Kosova.
Tubimi vjen një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarëve të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Nesër, më 15 shtator, në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të dëshmojë James Rubin, ish-ndihmës sekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë. Pas tij, pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe. Fillimisht do të paraqiten dëshmitarët e Hashim Thaçit, ndërsa më pas ata të Jakup Krasniqit.
Në total, mbrojtja e Thaçit pritet të paraqesë rreth 11 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja e Krasniqit dy të tjerë. Dëshmitë e tyre parashikohen të zhvillohen në seanca publike.
Procesi i mbrojtjes nis katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi paraqitjen e provave të saj, ku solli në gjykatë 125 dëshmitarë dhe u mbështet në mbi 130 dëshmi me shkrim.
Prokuroria i akuzon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për krime lufte, duke i konsideruar pjesë të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Ndërkohë, mbrojtja e katërshes e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj tyre u konfirmua në vjeshtën e vitit 2020, ndërsa të katërt qëndrojnë prej asaj kohe në paraburgimin e Sheveningenit në Hagë. Gjyqi filloi në prill të vitit 2023 dhe tashmë konsiderohet se ka hyrë në fazën më vendimtare. Mbrojtja pritet të dorëzojë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.