Nepali të enjten ndërmori masa për të bllokuar platformat kryesore të rrjeteve sociale pasi ato nuk u regjistruan pranë qeverisë.
Ministria e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit shpalli ndalimin pasi u kishte dhënë kompanive shtatë ditë afat, duke filluar nga 28 gushti, i cili skadoi të mërkurën, për t’u regjistruar pranë qeverisë, sipas Kathmandu Post.
Platformat e bllokuara përfshijnë Facebook dhe Instagram, që janë në pronësi të kompanisë amerikane Meta, si dhe WhatsApp, YouTube, platformën amerikane X, Reddit dhe LinkedIn.
Ministria tha se bllokimi do të hiqet sapo kompanitë të regjistrohen pranë autoriteteve.
Ndërkohë, TikTok u përjashtua nga ndalimi sepse ishte regjistruar më herët pranë ministrisë.
Vendimi vjen në përgjigje të një urdhri të Gjykatës Supreme, i cili kërkon që qeveria të regjistrojë të gjitha platformat online dhe të rrjeteve sociale, vendase apo të huaja, para se ato të operojnë në Nepal, duke i mundësuar autoriteteve monitorimin e përmbajtjes.
Ndërkohë, partia kryesore opozitare e Nepalit e ka kritikuar këtë vendim.
Sipas Hit Raj Pandey, kryegrupit të Partisë Komuniste të Nepalit (Qendra Maoiste), megjithëse “rregullimi është i nevojshëm,” nëse rrjetet sociale mbyllen, “vendi do të bëhet kaotik.”
Kritikë të tjerë paralajmëruan se ndalimi mund të dëmtojë komunikimin, tregtinë dhe jetën publike.