Muzeu më i vogël etnologjik në botë ndodhet në Xhepçisht: Historia e një pasioni që sfidon kohën
KULTURË
3 minuta leximi
Muzeu më i vogël etnologjik në botë ndodhet në Xhepçisht: Historia e një pasioni që sfidon kohënNë një hapësirë të vogël, por të mbushur me histori dhe shpirt, në fshatin Xhepçishtë të Tetovës ndodhet muzeu më i vogël etnologjik në botë.
Muzeu më i vogël etnologjik në botë ndodhet në Xhepçisht: Historia e një pasioni që sfidon kohën / TRT Balkan
7 Korrik 2025

Në një hapësirë të vogël, por të mbushur me histori dhe shpirt, në fshatin Xhepçishtë të Tetovës ndodhet muzeu më i vogël etnologjik në botë. Kjo perlë kulturore është themeluar në vitin 1991 nga arkitekti dhe koleksionisti i pasionuar, Simeon Zlatev-Mone, i cili prej më shumë se tri dekadash i ka kushtuar jetën ruajtjes së trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Nga arkitektura në etnologji

“Unë kam mbaruar arkitekturën,”  tregon Zlatev. “Arkitektura më ka dhënë mundësinë që në mënyrë indirekte të hyj në etnologji. Kështu, që nga viti 1991, hapa muzeun më të vogël në botë.”

Që nga ajo kohë e deri më sot, muzeu i tij ka grumbulluar mbi 2.000 eksponate autentike, të cilat dëshmojnë për mënyrën e jetesës, kulturën dhe historinë e popujve të vendit.

Një thesar i vërtetë

Çdo objekt ka një histori. Qoftë një gur që në pamje të parë duket i zakonshëm, por që rezulton të jetë 25 milionë vjeçar dhe vjen nga lava vullkanike e Kratovës, apo një arkivol i vitit 1896 i punuar me lëkurë deveje.

Pjesë të koleksionit janë edhe rroba tradicionale osmane, si një kostum femre “alla turka” i mbi 200 viteve më parë, së bashku me enë tradicionale si gjygyma, mangallë dhe ibrikë që janë përdorur nga gjenerata të tëra.

Një dritare e gjallë e traditës

Vizitorët mund të prekin nga afër jetën e të parëve tanë si keramika, lugë druri, shtamba për ujë, djepa të punuar nga druri ku dikur janë rritur fëmijët.

“Ky ambient pasqyron mënyrën e jetesës së njerëzve të thjeshtë të dikurshëm,” thotë Zlatev.

Një vend që tërheq botën

Muzeu i vogël, por me zemër të madhe, ka mirëpritur mbi 60 mijë vizitorë nga mbarë bota, përfshirë figura të njohura si ish-presidenti Stevo Pendarovski, ambasadorë të huaj, përfaqësues të botës së kulturës dhe artit.

Madje muzeun e ka vizituar edhe aktori më i shkurtër në botë nga Britania e Madhe, Warwick Davis, i njohur për rolet e tij në filmat e Harry Potter, si dhe ekipe filmike që kanë ndjekur rrugëtimin e Marco Polos.

Një trashëgimi për brezat e ardhshëm

Zlatev nuk ka qëllime komerciale për këtë pasuri. Ai dëshiron që muzeu të jetojë edhe përtej tij.
“Unë muzeun do ia dhuroja Maqedonisë së Veriut, nëse sigurohet një hapësirë e denjë për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej. Dua që brezat e rinj të mësojnë nga kjo trashëgimi dhe ta vazhdojnë besëlidhjen që kam nisur shumë vite më parë.”


BURIMI:TRT Balkan AL
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us