Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork u hap zyrtarisht ekspozita “Trashëgimia e shpresës pas gjenocidit në Srebrenicë: Udhëtimi i gjeneratës së re”, e organizuar nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës dhe Misioni i Përhershëm i Bosnjë dhe Hercegovinës në OKB, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Ekspozita sjell tetë rrëfime të fuqishme personale nga njerëz që kanë mbijetuar gjenocidin ose që janë lindur pas tij, përmes dëshmive video dhe fotografi, citate dhe kode QR që çojnë te tregime rrëqethëse.
Pika qendrore vizuale e ekspozitës është fotografia monumentale “Nëna e Srebrenicës” nga fotografi Almin Zërno, simbol i të gjitha nënave që, pavarësisht humbjes së paimagjinueshme, zgjodhën dinjitetin në vend të urrejtjes.
Në hapje morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Denis Beqiroviq, ministrin e Jashtëm Elmedin Konakoviq, ambasadorin e Bosnjë dhe Hercegovinës në OKB Zlatko Lagumdzhija, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe komunitetit ndërkombëtar.
Beqiroviq: Nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë të vërtetën
Gjatë fjalës së tij, Beqiroviq theksoi se çdo rrëfim në ekspozitë dëshmon për qëndrueshmërinë njerëzore dhe fuqinë e dashurisë përballë humbjeve të tmerrshme dhe tragjedive njerëzore.
“Këta të rinj janë dëshmi se edhe nga kapitujt më të errët të historisë mund të lindë një brez i ri, krenar, i vendosur dhe i përkushtuar për të ruajtur kujtesën dhe për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës. Pas secilës prej këtyre rrëfimeve qëndron një nënë, një shtyllë force përkundër dhimbjes së saj. Një nënë që zgjodhi dinjitetin në vend të hakmarrjes. Nëna e Srebrenicës simbolizon forcën, qëndresën dhe palëkundshmërinë,” tha ai.
Begiq: Nënat e Srebrenicës humbën gjithçka, por nuk zgjodhën urrejtjen
“Kjo ekspozitë nuk flet vetëm për atë që ka ndodhur. Ajo flet për atë që erdhi më pas dhe për atë që ende vazhdon,” tha Amra Begiq, zëvendësdrejtore e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, gjatë fjalës në hapjen e ekspozitës.
Ajo theksoi se fuqia e tregimeve qëndron pikërisht në dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e atyre që i mbajnë ato: “Nënat e Srebrenicës humbën gjithçka. Por nuk zgjodhën urrejtjen. Ato zgjodhën njerëzinë.”
Amra Begiq shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë ekipin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës që punoi për ekspozitën.
“Gjenocidi nuk fillon me plumba. Fillon me heshtje, mohime dhe shmangie të së vërtetës,” përfundoi Begiq, duke bërë thirrje për kujtesë, të vërtetë dhe drejtësi si themele për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.