Ballkani është një mozaik kulturash, historish dhe trashëgimish arkitektonike, ku ndër më të dalluarat janë minaret e xhamive. Disa prej tyre jo vetëm që janë monumente të arkitekturës islame, por edhe rekorde të vërteta për nga lartësia, duke u bërë pikë referimi për qytetet ku ngrihen.
Nga Novi Pazari deri në Prizren, nga Shkupi deri në Plevlë, peizazhi ballkanik është i mbushur me silueta të holla që shkojnë drejt qiellit, minaret e xhamive. Për shumëkënd ato janë thjesht kulla fetare, por në të vërtetë, janë shumë më tepër: monumente historie, simbole të identitetit dhe dëshmi të një trashëgimie kulturore.
Xhamia e Qendrës Islame në Delimedje
Në komunën e Tutinit, në jugperëndim të Serbisë, ndodhet një xhami që ka hyrë në histori si rekordsjellëse. Xhamia e Qendrës Islame në Delimedje ka minare që ngjiten në 77.24 metra, duke i bërë më të lartat në Ballkan, në rang botëror, ato renditen mes më të lartave të ndërtuara ndonjëherë.
Për të kuptuar përmasën: 77 metra janë sa një ndërtesë 25-katëshe. Dhe nuk bëhet fjalë për një projekt të shekullit XVI, por për një xhami moderne, që shënon rritjen e komunitetit mysliman të zonës dhe ambicien e tij për të pasur një monument sa fetar, aq edhe arkitekturor.
“Rezistenca” që u ngrit drejt qiellit
Vetëm pak kilometra nga Shkupi, në fshatin Haraçinë, shënohet një tjetër rekord i rajonit. Xhamia “Rezistenca”, e emëruar simbolikisht, ka dy minare të larta nga 75 metra secila. Pamja e tyre mbizotëruese nuk është thjesht një arritje arkitekturore, por edhe një shprehje identiteti dhe bashkimi për komunitetin lokal.
Për banorët e Haraçinës së Shkupit, kjo xhami nuk është thjesht një vend lutjeje, por një pikë referimi urban, një monument i dukshëm që e lidh periferinë me qendrën e kryeqytetit.
Xhamia e Turhan Emin-beut
Në Ustikolinë të Bosnjë dhe Herecegovinës gjendet një nga xhamitë më të vjetra të rajonit, Xhamia e Turhan Emin-beut. E ngritur në shekullin XVI, ajo ka një minare 60 metra, që edhe sot mbetet ndër më të lartat në Ballkan.
Ky monument ka një peshë të veçantë: përveç rolit fetar, është edhe dëshmi e përhapjes së arkitekturës osmane në Ballkan, duke i bërë xhamitë jo vetëm vend lutjeje, por edhe qendra të jetës shoqërore. Minarja e saj, që qëndron krenare mbi qytezë, është një shembull i harmonisë mes mjeshtërisë tradicionale dhe madhështisë së përmasave.
Xhamia e Jahja Pashës
Në vetë zemrën e Shkupit, një tjetër xhami e bën kryeqytetin e Maedonisë së Veriut të veçantë në këtë listë. Xhamia e Jahja Pashës, e ndërtuar në fillim të shekullit XVI, ka një minare që ngjitet në 50 metra.
E rrethuar nga rrëmuja e një qyteti modern që ndryshon çdo ditë, kjo xhami është një oaz i qetësisë dhe historisë.
Xhamia e Sinan Pashës
Kur viziton Prizrenin, nuk është e mundur ta anashkalosh siluetën e fuqishme të Xhamisë së Sinan Pashës. E ndërtuar mes viteve 1600–1615, kjo xhami madhështore me minaren 43.5 metra është simboli i qytetit.
Ajo mbisundon horizontin, duke qëndruar mbi lumin Bistricë, pranë Kalasë së Prizrenit. Sinan Pasha nuk është thjesht një monument fetar, por edhe një tërheqje turistik, ku vizitorët nga mbarë bota shohin nga afër ndikimin e arkitekturës osmane në zemër të Kosovës.
Xhamia e Husein Pashës
Në qytetin e vogël të Plevlës, në veri të Malit të Zi, qëndron një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës islame në vend: Xhamia e Husein Pashës. Minarja e saj arrin 42 metra, një shifër mbresëlënëse për një qytet kaq të vogël.
Kjo xhami, e ndërtuar në shekullin XVI, ruan elementë arkitektonikë që e bëjnë një nga monumentet më të vlefshme të trashëgimisë islame në Ballkanin Perëndimor.
Nga minaret moderne të Tutinit dhe Shkupit deri tek monumentet historike të Prizrenit dhe Plevlës, Ballkani ka ngritur drejt qiellit një mozaik unik arkitekturor.
Minaret nuk janë vetëm pjesë e një peizazhi fetar, por edhe dëshmi e fuqishme të historisë, të përkatësisë dhe të identitetit kolektiv. Ato janë pika orientimi në qytete, vende ku historia takohet me të tashmen dhe ku arkitektura merr një dimension që i flet njëkohësisht besimit dhe kulturës.