Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Siç ka konfirmuar këshilltari i presidentes për media, Bekim Kupina, presidentja Osmani do t’i drejtohet më 9 shtator Gjykatës Kushtetuese, sipas afatit të përcaktuar.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator 2025. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator 2025”, tha Kupina.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Kjo masë, e cila me vendimin e gjykatës do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator, erdhi pas kërkesës së drejtuar në gjykatë nga deputetët e Listës Serbe.
Këshilltari i presidentes së Kosovës nuk ka dhënë hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që Osmani do t’ia dërgojë nesër Kushtetueses, por shtoi se “qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin”.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës, pikë e cila bllokoi procesin e konstituimit,
Gjykata theksoi se pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".
Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.
Ankesa e Listës Serbe e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, erdhi pasi në Kuvend u hodhën ndaras propozimet për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve joshumicë joserb dhe serb.
Deputetët i dhanë mbështetje me votat e mjaftueshme nënkryetares joserbe Emilja Rexhepi, por, më pas as propozimi i Listës Serbe dhe as deputeti serb që nuk është pjesë e kësaj partie, Nenad Rashiq, nuk morën votat e mjaftueshme që të emëroheshin në këtë pozitë.