Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vlladimir Putin, mbërritën të premten në Alaska për bisedime vendimtare që synojnë t’i japin fund luftës mbi trevjeçare të Kremlinit ndaj Ukrainës.
Trump e priti Putinin në pistë me një pritje mbi tapetin e kuq, pasi aeroplani presidencial rus u ul në Anchorage. Sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që liderët të kalojnë në një format takimi tre me tre, ku do t’u bashkohen dy këshilltarë të lartë.
Presidentit amerikan do t’i bashkohen Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff. Pas takimit të parë ballë për ballë, liderët do të kalojnë në një drekë pune të zgjeruar, ku do të marrin pjesë edhe këshilltarë të tjerë.
Trump tha më herët të premten, gjatë një interviste për Fox News, se do të “tërhiqej” nga samiti i ardhshëm nëse bisedimet nuk sjellin përparim. Më vonë, ai u tha gazetarëve se çdo mundësi e shkëmbimeve territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë do të ishte një çështje që i takon vetëm Kievit të vendosë.
“Ato do të diskutohen, por unë duhet ta lë Ukrainën ta marrë atë vendim. Dhe mendoj se ata do të marrin një vendim të duhur, por nuk jam këtu të negocioj për Ukrainën. Jam këtu t’i çoj ata në një tryezë.”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka kundërshtuar vazhdimisht çdo lëshim territorial.
Lideri ukrainas tha të mërkurën se Trump kishte shprehur gatishmëri për t’i ofruar vendit të tij garanci sigurie.
I pyetur nëse janë të mundshme garancitë e sigurisë për Ukrainën, Trump u tha gazetarëve në bord të Air Force One se po, “bashkë me Evropën dhe vende të tjera”, por “jo në formën e NATO-s”, duke theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk do të ndodhë.”