Kabineti izraelit miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës në takimin e së enjtes, bëri të ditur të premten ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
“Kemi miratuar planet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për të mposhtur Hamasin në Gaza, përmes zjarri intensiv, evakuimit të civilëve dhe manovrave ushtarake,” tha Katz përmes rrjetit social X (ish-Twitter).
“Dyert e ferrit do të hapen për Hamasin,” paralajmëroi ai, nëse nuk pranojnë “kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, që përfshijnë kryesisht lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatosjen.”
“Nëse nuk bien dakord, Gaza (qyteti), kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet si Rafahu dhe Beit Hanoun-i,” shtoi ai.
Plani parasheh zhvendosjen e detyruar të afro 1 milion palestinezëve drejt jugut, rrethimin e qytetit dhe kryerjen e sulmeve tokësore në lagjet e banuara.
Grupi palestinez Hamas tha të hënën se ka pranuar një propozim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari për një armëpushim në Gaza, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes.